
Inva Mula, sopranoja shqiptare që çdo moment po magjeps publikun mbarëkombëtar me zërin dhe forcën që ka për muzikën ka qenë pjesë e ditëlindjes së 70-të të tenorit me famë botërore Placido Domingo.
Sopranoja shqiptare, që nuk rresht së kënduari në skenat më të mëdha të botës, nga Parisi në Barcelonë, nga Nju Jorku në Milano nuk i ka harruar asnjëherë emocionet që i ka falur skena shqiptare. Që nga ngjitja e parë në skenë dhe deri tani sopranoja shqiptare ka rezultuar e suksesshme në çdo skenë ku ajo ka kënduar. Për të nuk ka limite, nëse jeton në Paris apo në Tiranë.
Ajo është e kudogjendur, nga një skenë në tjetrën, nga një shtet në tjetrin. Jeta e saj është një lëvizje nga Italia në Londër, Amerikë etj, dhe në këto shtete ku ajo interpreton prezanton më së miri kulturën shqiptare. Këngëtari lirik nga Spanja po mban këto ditë një koncert recital në Madrid, ku janë të ftuar edhe tenorët më në zë të botës.
Koncerti që u zhvillua në Teatro Real, Plaza de Izabel II, mbahet me rastin e 70-vjetorit të Domingos. Që nga data 13, 16, 20, 23, 25 janar, publiku ka mundur të shijojë ariet e kompozitorët që kanë bërë historinë e muzikës operistike, si Mozart, Puçini, Verdi, Bellini etj.
Ariet që u intepretuan dhe do të intepretohen dhe për dy net me radhë i përkasin perlave si “Faust”, “Puritani”, “Manon”, “Marriage of Figaro”, “La boheme”, “Otello”, “Traviata” etj. James Conlon, dirigjenti i operës së Los Angeles, ka qenë udhëheqësi gjatë këtyre mbrëmjeve.
Krijimtaria 50-vjeçare e tenorit Placido Domingo
Ishte dhjetë vjeç, kur doli për herë të parë në skenë, 20 vjeç, kur debutoi në opera. Placido Domingo ka pas vetes karrierë të shkëlqyer 50 vjeçare. Tenori festoi më 21 janar 70 vjetorin me një zë çuditërisht të mirë. Pavarësisht se çfarë këndon Verdin, apo Vagnerin, ariet operistike, apo këngët popullore, klasike, apo pop.
Zëri i Placido Domingos është i pakrahasueshëm, një nga zërat më të shquar të operës të shekullit të XX. Me zërin e fuqishëm dhe sensual ai mrekullon admiruesit e tij në mbarë botën.
Placido Domingo u edukua me muzikën që në djep. Prindërit e tij ishin interpretues të shquar të zarzuelave spanjolle. Në vitin 1949 familja emigroi në Meksikë dhe atje në vitin 1961 në moshën 20 vjeçare ai debutoi në rolin e Alfredos në Traviatën e Verdit. Më pas Domingo këndoi katër vjet në Tel Aviv.
1966 ai mori pjesë në një shfaqje të operës të Nju Jorkut dhe tërhoqi vemendjen e kritikës ndërkombëtare të muzikës. Brenda një kohe të shkurtër tenori pushtoi operat më të shquara të botës dhe çmohej si interpretuesi i Verdit si në Londër, Vjenë dhe Milano ashtu edhe në Berlin, Nju Jork, apo Buenos Ajres.
Galeria e roleve
Gjatë karrierës së tij Domingo ka realizuar një repertor gati të pabesueshëm me rreth 135 role operistike. Në radhë të parë vepra të romantikës italiane dhe franceze të Verdit, Pucinit, Mascagnit, Bizet, apo Massenet.
Përveç kësaj atë ë tërhiqte prej kohësh muzika e Riçard Vagnerit, megjithatë Domingo tha në një intervistë në vitin 1976 se kompozitori gjerman i shkaktonte atij disa probleme.
Nuk besoj se do ta këndoj Stolizing në skenë, sepse diapazoni vokal i Vagnerit është shumë i vështirë për zërin e tenorit, sidomos kur këndon kryesisht repertor italian dhe francez. Unë kam kënduar për herë të parë një rol të Vagnerit në vitin 1968, Lohengrinin, i cili më pëlqen shumë. Ndoshta një ditë prej ditësh do të bëhem në gjendje që të këndoj edhe Tristanin. Deri në realizimin e kësaj dëshire u desh të kalonin gati 30 vjet.
Në vitin 2005, Domingo mori pjesë në prodhimin e një CD të Tristanit të Vagnerit. Ndërkohë tenori me dhunti të shumanshme brohoritej në Bayreuth, Salzburg apo Veronë por edhe në koncertet e hapjes së kampionatit botëror të futbollit 1990, tek ky fundit jo i vetëm por së bashku me Jose Carreras dhe Luciano Pavarotin.
Placido Domingo vazhdon të jetë aktiv, kohët e fundit ai këndoi në Londër rolin kryesor në operën e Verdit, Simone Boçanegra. Ai e këmben gjithnjë e më shumë vendin e tij në skenë me grobën e orkestrës. Puna me shkopin e dirigjentit e mrekullon që nga viti 1973, kur ai dirigjoi për herë të parë një opera.
Po unë kam mësuar të dirigjoj pak në shkollën e lartë të muzikës dhe me shumë si dëgjues. Por kur të pushoj së kënduari dua të dirigjoi opera, sepse unë e njoh shumë mirë repertorin dhe ndjehem shumë i lidhur me dirigjimin. Pra kur të vij koha do të kaloj te dirigjimi.
Ndërkohë Placido Domingo punon si shef i operave ne Los Angeles dhe Uashington dhe dirigjon me sukses në operat e mëdha të botës. Por ndoshta të kënduarit ai nuk do t i japë fund kaq shpejt.(zeri)
E kerkuar dhe u gjet si :
- inva mula jeta e saj (19)
- inva mula (18)
- inva mula 2011 (3)





Jep mendimin tuaj