TIRANE-Marrëveshja u prish. Nuk dihet nëse “pazari” vazhdon. Por tre ditë më parë, kryeministri, Sali Berisha dhe Prokuroria e Përgjithshme, Ina Rama kanë rënë dakord sipas një pakti xhentëlmenësh t’i hapej rruga hetimeve për gjashtë drejtuesit e Gardës së Republikës, të dyshuar si përgjegjës për vrasjen e tre shtetasve në demonstratën e dhunshme të 21 janarit. Lajmi është konfirmuar dje edhe nga shefi i qeverisë. “Pardje pasdite arritëm në marrëveshje, që secili nga oficerët e Gardës të paraqitej para prokurorit dhe natyrisht, në këtë paraqitje do bëhej deklarata e do të anulohej urdhri i arrestit. Kjo ishte një marrëveshje e qartë si kristali”, deklaroi Berisha. Burime zyrtare nga organi i akuzës konfirmuan ndërkohë për “Gazeta Shqiptare” dhe se cilat ishin termat konkretë të këtij pakti që do të shkelej pak orë më vonë nga Ina Rama. Kryeministri i ka shprehur kryeprokurores vullnetin për t’i “dorëzuar” në polici të gjashtë drejtuesit e Gardës. Por me një kusht: ata nuk duhet të arrestoheshin. Thjesht do të jepnin deponimin e tyre në ambjentet e policisë, në prani të prokurorëve, për gjithçka dinin në raport me demonstratën e 21 janarit. Madje Berisha kishte pranuar parimisht deri dhe ndalimin e tre nga 6 drejtuesit e Gardës. “Pakti” ishte pranuar nga Ina Rama. Atëhere në respekt të marrëveshjes per gjashtë gardistët e dyshuar për vrasjet para Kryeministrisë u “dorëzuan” në Drejtorinë e Policisë në Tiranë. “Oficerët e Gardës u paraqitën me dinjitet, siç ishte marrëveshja. Por tre orë mbrapa, kjo marrëveshje u shkel me urdhër që mori zonja Rama”, tha dje Berisha në konferencë shtypi.
Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmojnë se ajo ç’ka shkeli në fakt Ina Rama në raport me këtë marrëveshje ishte refuzimi për të shkelur ligjin.
Urdhër-ndalimet e Prokurorisë për gjashtë drejtuesit e Gardës kanë shkaktuar një tërmet politik. Mazhoranca ka sulmuar ashpër kryeprokuroren duke pretenduar se i ka lëshuar urdhrat e ndalimit pa pasur asnjë provë. Gardistet dyshohen si autore per 3 vrasjet ne demonstraten e 21 Janarit.
(d.b/GSH/BalkanWeb)





Jep mendimin tuaj