TIRANE- Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Tomas Kantrimen flet për situatën politike në Shqipëri duke nënvizuar domosdoshmërinë e gjetjes së një kompromisi mes partive politike për daljen nga ngërci.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kantrimen thotë se politikanët në Shqipëri duhet të jenë në gjendje të negociojnë me njeri tjerin dhe t’i zgjidhin problemet vetë në mënyrë demokratike përmes dialogut dhe kompromisit. Sipas tij, cdo vonesë në këtë drejtim, dëmton imazhin e vendit ose afatin për të hyrë në BE.
“Ngërçi me zgjedhjet dhe mospjesëmarrja brenda sistemit politik shqiptar, ka dëmtuar jo vetëm emrin e Shqipërisë, por edhe mundësinë e saj për të ecur përpara drejt integrimit evropian, për t’u bërë anëtare e BE-së. Si anëtare e NATO-s dhe si një vend që thotë se është i gatshëm të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, shqiptarët duhet të jenë në gjendje të negociojnë me njeri tjerin dhe t’i zgjidhin problemet vetë në mënyrë demokratike përmes dialogut dhe kompromisit“ theksoi Kantrimen për Zërin e Amerikës.
I pyetur në lidhje me vendimin e KQZ-së për djegien e fletëve të votimit të 28 qershorit 2009, zyrtari amerikan u shpreh se Komisioni i Zgjedhjeve veproi në bazë të rregullave.
“Mendoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë punën në bazë të rregullave të tij. Ka ndjekur procesin e nevojshëm për të arritur në këtë vendim. Është e rëndësishme për të gjitha partitë dhe anëtarët e komisionit të marrin pjesë në këtë proces“ u shpreh Kantrimen.
Duke rikonfirmuar angazhimin e SHBA-ve për të ndihmuar Shqipërinë të dalë nga kriza që ka mbërthyer politikën, Kantrimen thotë se zgjedhjet e Majit duhet ti shpëtojne kontestimeve dhe kritikave dhe së pari, për të realizuar këtë, ai rendit raportin e OSBE-së për zgjedhjet e 2009-ës. Ky raport, shton Kantrimen, bëri të qartë se cfarë nevojitet nga partitë për të përmirësuar Kodin Zgjedhor .
Duke folur për zgjedhjet në Kosovë, zyrtari i lartë amerikan tha se ka mbetur i befasuar nga angazhimi i qytaterëve të Kosovës, ku mbi 30 mijë qytetarë kishin dalë vullnetarë të pavarur për të vëzhguar mënyrën si do të realizoheshin këto zgjedhje.
“Këtë gjë do dëshiroja edhe për shqiptarët. Është detyrë e tyre të vëzhgojnë se si do përdoret vota e tyre në zgjedhjet e majit. Zgjedhjet në Shqipëri nuk i përkasin partive politike por popullit shqiptar dhe u takon atyre të dalin vullnetarë me shumicë për të parandaluar cdo mosmarrëveshje apo mashtrim“ këshillon ai.
(e.n/BalkanWeb)





Jep mendimin tuaj