TIRANË- Pas kritikave të ashpra të Raportit të KE-së, mazhoranca dhe opozita i ofruan dje njëra-tjetrës propozimet për përmirësimin e situatën në vend. Në projektrezolutën e socialistëve e cila u prezantua nga deputeti Pandeli Majko theks i veçantë i kushtohej transparencës së zgjedhjeve dhe reformimin e sistemit gjyqësor me qëllim pastrimin e korrupsionit. Pikë e rëndësishme ishte edhe heqja e imunitetit të deputetëve që sipas selisë rozë do të pengojë krimin e organizuar. Ndërkohë në projektrezolutën e PD-së fajësohet opozita për çdo dështim të qeverisjes. Sipas PD-së, bojkoti dhe braktisja e debateve, mbledhjeve dhe votimeve në Kuvend ka penalizuar realizimin e objektivave dhe ka zvarritur proceset institucionale të vendit.
Por në vend që të diskutohej mbi dy projektrezolutat dhe kritikat e KE-së, veçanërisht për kryeparlamentaren Topalli, debati i djeshëm u kanalizua në sharje, ofendime dhe debate personale. Nëntë orë me vonesë, kryeministri Berisha u shfaq në sallën e Parlamentit në kulmin e debateve dhe monopolizoi situatën. Fillimisht ai mbajti një fjalim rreth 70 minuta të gjatë për ‘gjithçka’ përveç projektrezolutës së KE-së dhe rolit të Topallit. Berisha e nisi fjalimin e tij me arritjet e qeverisë, me pensionet, pagat, me uljen e pensioneve të ushtarakëve e deri tek Daut Kadriovski dhe tek kostumet e Edi Ramës. Kryeministri ka arritur që të debatojë me deputetët e opozitës për më shumë se dy orë duke mos lënë asnjë person tjetër nga mazhoranca për të folur. Nga ana e saj edhe opozita ka rënë në këtë “grackë” duke folur vetëm për çështjet personale të Sali Berishës dhe duke lënë në harresë temën që kishte seanca, rezolutën e KE dhe rolin e Topallit.
Edhe pse më vonë opozita tentoi që të rikthente debatin tek tema e ditës, kryeministri Berisha arriti që ti shmanget në çdo rast duke kanalizuar serish çështjen tek debatet personale.
Testamenti i Ramës dhe Koços
Rama ka obsesionin e vdekjes. Jo se e ka familja e tij. Opsesionin e vdekjes ai e ka të përbashkët me Koçon. Shkoni tek noterja dhe lexoni testamentin e Koços se e ka identik. Shkoni takoni noteren M.S. Ata që e dëgjojnë, iu duket e pabesueshme por janë absolutisht të vërteta këto që po ju them…
Ja tani se çfarë thotë testamenti: Ky testament është i vëllezërve Koço Kokëdhima dhe Edvin Kristaq Rama. Ky testament mbahet në prani të noteres Mimoza Sadushi. Doni më shumë? Më poshtë nuk mund të lexoj sepse atë noteren pastaj e heqin nga puna…
“Në janar 2007 një diplomat i shquar në Tiranë më vjen në zyrë për çështjen e certifikatave. Sapo u fut në zyrë i ra telefoni, ishte Edi Rama. Më tha: Mund të flas? Jo i thashë, mos fol këtu, fol në dhomën tjetër se zoti Rama nuk të lëshon pa 35 minuta, se po të kapi në telefon ai mos e pyet. Por pas 30 minutash sekretarja më thërret të kërkon ai dhe shkova, diplomati hap altoparlantin e telefonit, ku dëgjohej Rama që thoshte “jam shtrirë këtu përdhe, kam hyrë në grevë urie, unë do vdes tani. Unë i thashë: vdis i thuaj. Po, po, vdis dhe do të vij të të hedh një batanije”…
“Në maj isha në Zagreb, kur më bie telefoni nga PE urgjent. Një mik i imi nga Parlamenti Evropian më thotë: Sali kemi një problem i madh. Më thanë se Edi Rama hyn në grevë urie dhe ka vendosur të vdesë. Unë i thashë, Edi Rama po të dojë ka një dhomë në katin e parë, ku jam unë, të bëjë grevë urie aty, por për të vdekur ai nuk vdes se ai nuk hyn në grevë dhe nuk vdes. Po të vdesë do t’i bëj funeralin shtetëror më madhështor që ka njohur Shqipëria dhe fjalimin më të bukur nekrologjik” /// Gazeta Shekulli.






Jep mendimin tuaj