ATHINE-Në duart e policisë greke ka rënë një shqiptar “vrasës profesionist me pagesë” dhe nxitësi i tij, pak përpara se të kryenin një vrasje. Dy personat në fjalë kishin përgatitur ekzekutimin e një 44-vjeçari, banor i ishullit të Rodosit në Greqi.
Të arrestuarit janë një 31-vjeçar shqiptar dhe një 43-vjeçar grek, të cilët sapo kishin përfunduar “kontratën e vdekjes”. Policia thotë se nxitësi i vrasjes dhe viktima, ishin të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe kishin krijuar një konflikt pronësie për një bar-kafe në ishullin e Rodosit, konflikt të cilin 43-vjeçari kishte vendosur ta zgjidhte me armë.
Dy personat që kishin planifikuar vrasjen dhe do ta kryenin atë, u arrestuan mbrëmë në ishull nga forcat e policisë dhe akuzohen për ngritjen e një organizate kriminale me qëllim ekzekutimin e kontratës së vdekjes dhe për posedim ilegal të armëve.
Policia kishte siguruar informacionet nga një tjetër qytetar grek për përgatitjen e vrasjes së tregtarit 44-vjeçar dhe dje bëri një kontroll të befasishëm në shtëpinë e shqiptarit, ku gjeti dhe skuestroi:
• Një pistoletë me origjinë të panjohur
• Njëzet e një fishekë të kalibrit 32 mm.
• Një telefon celular
Nga hetimet e policisë rezultoi se shqiptari 31-vjeçar kishte mbërritur të martën në Rodos nga Megara nëpërmjet detit, dhe kishte bërë kontratën me 43-vjeçarin për të ekzekutuar një person në këmbim të 12.000 eurove. Pas një operacioni policor të koordinuar, policia organizoi një takim mes shqiptarit dhe porositësit të vrasjes në stadiumin e vjetër të Rodosit, ku u arrestua edhe ky i fundit. Në posedim të tij policia gjeti dhe konfiskoi:
• Një telefon celular
• Një faqe gazette ku përshkruhej pamja e 44-vjeçarit (viktima)
• Një shënim të shkruar me dorë, me udhëzime të ndryshme dhe me projektin për vrasjen
• Një shënim dore ku shkruhej adresa e viktimës
• Një faturë banke për pagesën prej 12.000 €.
Të arrestuarit u dërguan në në Prokurorinë e ishullit të Rodosit.
(d.b/BalkanWeb)





Jep mendimin tuaj