Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, ka folur për buxhetin e miratuar dje në parlament, duke thënë se është më i madhi në historinë e Shqipërisë. Ai është ndalur gjatë tek opozita, duke thënë se po u ofron shqiptarëve një model që lufton të pasurit.
“Buxheti që kaloi dje është më i madhi në historinë e vendit. Ai do të mbështesë rritjen e investimeve në infrastrukturë, rrogave dhe pagave.
Modeli ynë i ka ofruar ekonomisë një frymëmarrje të paprecedentë. Ne kemi një administratë të vogël. Modeli ynë bazohet në investime të mëdha, më të mëdhatë se të çdo qeverie tjetër. Këto investime janë shpërndarë të qindra projekte, duke mos lejuar rritjen e borxhit dhe duke kontrolluar inflacionin.
Shpreh keqardhjen time të thellë për disa propozime të opozitës, të cilat synonin mekanizmin themelor të modelit, zëvendësimin e tregut të lirë, që është një model marksist. PS le të rikthejë edhe anëtarët e Byrosë në Këshillin e të Urtëve.
U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, me cilin model do të ishin dakord? Do të preferonin modelin e pikatores dhe skamjes, apo modelin e dyfishimit të rrogave?
Ideja e tyre për të zëvendësuar taksën e sheshtë me taksën progressive, është ideja e shkatërrimit të mekanizimit ekonomik të reformave. Një model i njohur si sukses, kërkohet që të shkatërrohet me parulla marksiste-leniniste për luftë kundër të pasurve. Varfëria nuk luftohet duke shkatërruar të pasurit. Këtë, në mënyrën më tragjike e kanë provuar shqiptarët në kuriz.
Më vjen keq që opozita nuk bëri asnjë propozim dje për rritjen e rrogave dhe pensioneve, por kërkonte uljen e TVSH-së për bukën, duke u kujdesur për tregtarët.
Ekonomia jonë është ngjitur në çatinë e botës për lirinë ekonomike. Sigurisht që ka të varfër, por opozita duhet t’i ndihmojë këta të varfër, jo të bëjë mozaik”, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.





Jep mendimin tuaj