Në një intervistë për “Lajm”, ideatori i Platformës Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, thotë se bashkimi shqiptar ndihmon integrimin në BE, ndërsa integrimi në BE nuk është bashkim shqiptar. Sipas tij, zbatimi i kësaj platforme do të nisë menjëherë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit që do të mbahen në Kosovë. Ai thotë se edhe shqiptarët e Maqedonisë nuk i pengon askush që me referendum të ikin nga artificialja.
LAJM: Ç’është Shqipëria Natyrale? Përse Shqipëri natyrale?
Danaj: Po ju përgjigjem: Sepse kjo Shqipëri që është sot, është artificiale. Cili është artificialiteti, të cilin nuk e gjejmë në asnjë vend të Evropës? Që nga Ulqini deri në Konispol kjo Shqipëri dhe shqiptarët e kësaj Shqipërie kufizohen me veten e tyre. Kur kalon Hanin e Hotit futesh fillimisht në territor shqiptar, kur kalon Hanin e Elezit midis Kosovës dhe Maqedonisë kalon nëpër territor shqiptar, kur kalon Qafën e Morinës midis Shqipërisë dhe Kosovës futesh në territor shqiptar, kur kalon qafën e Thanës midis Maqedonisë dhe Shqipërisë futesh në territor shqiptar, kur kalon qafën e Botës në Konispol midis Shqipërisë dhe Greqisë futesh në territor shqiptar. Pra kemi të bëjmë me një komb që ka fqinj vetveten. Pra në fillim të pranojmë realitetin aktual. Cili është ky realitet? Është absurdi më i madh i kontinentit evropian. Prandaj, në vend të Shqipërisë Artificiale, ne duam që me anë të bisedimeve dhe rrugës paqësore të ndërtojmë Shqipërinë Natyrale. Në themel të këtij absurdi që krijoi Konferenca e Londrës më 1913, qëndron gjithë pastabiliteti i rajonit deri atje sa u konsiderua Fuçi-Baruti. Dhe së fundi Shqipëri Natyrale është Shqipëria që shpalli Kuvendi i Vlorës në vitin 1912.
LAJM: Pak ditë më parë ish Ambasadori i OSBE-së në Kosovë William Walker përkrahu idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. A duhet të nisë këtu zbatimi i platformës së Shqipërisë Natyrale?
Danaj: Deklarata e Walker, një njohës i shkëlqyer i problemit shqiptar ishte një parashenjë se nesër miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë Natyrale do të shtohen, do shumohen, do ta pranojnë si faktorin kryesor të stabilitetit të rajonit. Pra koha ecën me shpejtësi. Ne duhet ta mbushim atë me argumente, me fakte që nesër askush të mos tronditet apo habitet. Por ju jap një shembull: Pas datës 30 tetor 2010, kur në TOB ne shpallëm Listën për Shqipëri natyrale dhe deri më sot, në median e shkruar dhe atë elektronike rajonale janë botuar 312 shkrime, komente dhe lajme. Shumica e tyre, po merren me faktet dhe argumentet që kemi hedhur ne në opinion. Është një shembull tjetër se ka filluar Shqipëria natyrale. Folën dy presidentë për Shqipërinë Natyrale, Ivanov dhe Vujanoviç në Beograd, folën tre ministra në Serbi, Markoviç, Dinkiç dhe Ivanoviç, folën dy kryetarë partish, Nikoliç dhe Jovanoviç, folën disa profesorë, studiues të së drejtës ndërkombëtare, folën dy ambasadorë rus dhe britanike, foli agjencia FONET, DPA, AT, AFP, B92, Beta, Tanjug, etj. etj. Si mendoni ju, a do flisnin ata po të ishte thjesht një ëndërr? Jo, por ata e shohin se jemi në prag të një realiteti të ri, prandaj folën dhe vazhdojnë të flasin. Kjo do të thotë se Shqipëria natyrale tashmë është një problem i shtuar për zgjidhje, dhe jo një aspiratë apo një ëndërr.
LAJM: A po e ndihmon kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski Platformën e Shqipërisë Natyrale, pasi investimet bëhen vetëm aty ku jetojnë maqedonas?
Danaj: Pyetje e saktë. Mjerisht, Nikolla Gruevski ndihmon Shqipërinë natyrale, më shumë se Ahmeti, Thaçi apo Selmani. Por jo vetëm në fushën e investimeve, por edhe në fushën politike, sociale, etnike. Gruevski nuk pranon të jetojë me shqiptarë të barabartë me atë. Gruevski kërkon ndarjen e Maqedonisë, ndarjen nga shqiptarët. Por ai kërkon të fitojë territore. Ndërsa Ali Ahmeti kërkon të ruajë Maqedoninë. Paradoks i madh, absurd i madh, por i përkohshëm. Shqiptarët në Maqedoni do të gjejnë shumë shpejt udhëheqësin e tyre që do t’i çojë drejt Shqipërisë natyrale. Lista për Shqipëri natyrale është duke formuar degët e saj edhe në Maqedoni. Ata në rrugë paqësore do të kërkojnë Referendumin për bashkim me Shqipërinë, as kantonizim, as ndonjë emër të ri. Shqiptarët kudo ku jetojnë nuk kanë nevojë të shpikin emra, ata e kane emrin e atdheut të tyre. Ai emër është Shqipëri natyrale.
LAJM: Kush e ka mbështetur dhe kush e ka kundërshtuar platformën tuaj?
Danaj: Sipas sondazhit të Gallup, e kanë mbështetur shumica dërrmuese e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Po e mbështetin indirekt edhe politikanë rajonalë. Ja një shembull: Cedo Jovanoviç, kryetar i PLD serbe deklaroi se nuk ka asgjë të keqe që shqiptarët të ëndërrojnë Shqipërinë Natyrale. Tadiç deklaroi se ka ardhur koha për pajtim historik midis shqiptarëve dhe serbëve. Por kryeqyteti i shqiptarëve është Tirana. Ndërsa deri më tani të detyruar e kanë kundërshtuar disa politikanë në Mal të Zi apo Kosovë.
LAJM: A janë të gatshme partitë shqiptare që ta pranojnë platformën e Shqipërisë Natyrale? (Fjala është edhe për partitë shqiptarë që veprojnë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë)
Danaj: Partitë janë të gatshme ta pranojnë Shqipërinë natyrale. Në Listën e saj janë me mijëra anëtarë dhe simpatizantë të BDI-së, PDSH-së, DR-së etj. në Maqedoni. Ata që nuk janë të gatshëm janë disa politikanë në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Ata, ose janë të kapur nga korrupsioni i Beogradit, Shkupit apo Athinës, ose janë të pazotë të konkurrojnë njësoj si në Tetovë edhe në Vlorë, në Mitrovicë, në Shkodër, në Tiranë apo Prishtinë, ose preferojnë të jenë më mirë grekë me origjinë shqiptare, maqedonas me origjinë shqiptare, kosovarë me origjinë shqiptare. Por ata janë të përkohshëm. Të përhershëm janë dhjetëra dhe qindra, mijëra shqiptarëve që sot për shkak të manipulimit dhe demagogjisë simpatizojnë këto udhëheqje. Ndërsa aleatë politikë janë pesë partitë politike që formuan koalicionin me Lëvizjen “Vetëvendosja” në Kosovë. Ky koalicion pas 12 dhjetorit jo vetëm do hyjë në Parlament, por do jetë një nga forcat kryesore politike. Prandaj unë kam deklaruar se pas 12 dhjetorit do filloje bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
LAJM: A nuk do të ishte më mirë që shqiptarët të prisnin bashkimin me BE-në?
Danaj: Pse? Bashkimi shqiptar ndihmon integrimin në BE, ndërsa integrimi në BE nuk është bashkim shqiptar. Në BE integrohen kombet, por nuk bashkohen kombet. Dini ju ndonjë shtet që është anëtar i BE të jetë bashkuar në BE. Kjo është një mashtrim që u serviret shqiptarëve nga kundërshtarët e bashkimit. Shuarja e kufijve nuk do të thotë zhdukje e kufijve. Qarkullimi i lire i njerëzve nuk do të thotë qarkullim i lirë i trojeve, i shteteve, i kombeve. Dhe problemi tjetër më i rëndësishëm është, qetësimi dhe stabilizimi i rajonit. Lista për Shqipëri natyrale është një ofertë për paqe që i drejtohet jo vetëm bashkësisë ndërkombëtare, por edhe fqinjëve të saj në rajon. Thelbi i Listës për Shqipëri natyrale është dialog me këdo, dialog për gjithçka. Bashkësia ndërkombëtare është kundër ndryshimit të kufijve me dhunë, por nuk është kundër ndryshimit të kufijve me paqe, me bisedime, me dialog. P.sh: Në qoftë se shqiptarët në Kosovë dhe Kuvendi i Kosovës që do të dalë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit duan bashkim me Shqipërinë, atëherë edhe bashkësia ndërkombëtare do ta lejoje këtë vullnet të shqiptarëve. Për këtë arsye në Platformën e Shqipërisë Natyrale kemi parashikuar si fazë të parë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën deri në 28 nëntor 2012, që përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë Natyrale. Shembulli i dytë: Në qoftë se shqiptarët në Maqedoni që janë popull shtet formues me kushtetutë do kërkojnë Referendum për bashkim me Shqipërinë, të jeni të sigurt se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta pengojë, sepse referendumi është mjet paqësor, bisedimet janë mjete paqësore. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të dalë kundër paqes në rajon. Dhe duke bërë Shqipërinë natyrale, jemi bërë gati për integrim në Evropë. BE është integrim kombesh dhe jo grumbull vilajetesh neooetomane siç janë shqiptarët deri më sot.
LAJM: A nuk është utopi që një projekt i tillë të realizohet në mënyrë paqësore?
Danaj: Jo, nuk është utopi, është domosdoshmëri për paqen, stabilitetin dhe progresin e rajonit. Por a mund të realizohet në rrugë paqësore ? Patjetër në rrugë paqësore. Ja përse? Në rajonin e Ballkanit të gjitha qeverisjet janë demokratike. Kështu thotë BE, kështu thonë të gjithë të tjerët. Atëherë, aty ku sundon demokracia nuk ka vend për konflikte klasike, nuk ka vend për dhunë, për trazira. Kjo përjashtohet . Ne jemi kundër dhunës dhe konflikteve. Ndërsa tronditje politike edhe do të ketë. Prandaj është tavolina e bisedimeve, që këto tronditje politike ti zbusë, ti qetësoje. Ja disa shembuj: Para disa vjetësh, Pavarësia e Kosovës ishte një tronditje politike, tani nuk është më e tillë. Çfarë do thonë kur pas 12 dhjetorit në Parlamentin e Kosovës do të jenë mbi 20 deputetë që do kërkojnë bashkim me Shqipërinë? Shembull tjetër: Para disa vitesh, kërkesa e Republikës Serpska për referendum dhe ndarje ishte tronditje politike. Tani nuk është më e tillë, bile në ceremoninë e përurimit të presidentit Dodik, mori pjesë vetë presidenti i Serbisë Tadiç. Pra rruga paqësore dhe tavolina e bisedimeve i qetëson dhe zbut tronditjet politike. Ja dhe një shembull tjetër: Në sondazhin e Gallup, një pjesë e qytetareve maqedonas në Maqedoni u shprehen dakord që shqiptarët të bashkohen me Shqipërinë. Fjalën utopi në rastin e Shqipërisë natyrale e përdorin ose ata që nuk e duan bashkimin, ose ata që janë të prirur për veprime të dhunshme dhe anarkiste.







Jep mendimin tuaj