![]()
![]()
TIRANE- Në një konferencë për mediat pasditen e sotme, Kryeministri Berisha përshëndeti studentët e dhjetorit duke theksuar se liria e shqiptarëve u detyrohet atyre. “Gëzuar të gjithëve festën e lirive tona, festën e dinjitetit tonë njerëzor. Sot për mua e secilin prej jush është rasti të përulemi me nderimin më të madh e me mirënjohjen më të thellë para veprës së atyre qindra studentëve që natën e 8 dhjetorit të vitit 90 u ngritën kundër regjimit më të egër” u shpreh kryeministri.
Duke iu drejtuar studentëve përsëri, Berisha u shpreh se ata kërkuan liri, para njerëzve më të shtypur të planetit.“Nën udhëheqjen e Azem Hajdarit do të ndiznit në zemrat tona të shkretuara rrezet e shpresës. Ju u shfaqët atë natë dhjetori të ftohtë para nesh, njerëzve me të shtypur të planetit. Sot pas 20 vitesh vepra juaj, e bëri vitin 90’ më të rëndësishmin në historinë kombëtare pas pavarësisë”.
Berisha deklaroi se i detyrohet lirinë studentëve të dhjetorit, ndërsa theksoi se bashkë me ta u arrit të bëhet realitet ëndrra europiane.“Edhe unë ju detyrohem ju lirinë por dhe fatin madh që u njoha me ju, u takova me ju, bashkë me ju, e me qindra e mijëra të rinj shqiptarë arritëm të shndërrojmë në realitet ëndrrën tuaj europiane. Zoti ju bekoftë ju e familjet tuaja, zoti i bekoftë shqiptarët, liritë dhe dinjitetin e tyre”,- përfundoi fjalën e tij përshëndetëse kryeministri.
20 vite nga 8 Dhjetori, Dita e Rinise
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë nismëtarët e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore, që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.
Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Studentët protestues të dhjetorit ’90 kishin aspirata dhe ideale të larta kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë.
Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore duke e shndërruar Lëvizjen Studentore në një revolucion kombëtar demokratik. Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë: një fituese dhe një të humbur. Koha tregoi se të fituar ishin të gjithë, shteti, shoqëria dhe individët, partitë.
“Të gjithë brezat që vijnë duhet të kujtojnë rezistencën e brezit të viteve ’90-të ndaj një të keqeje që kërkonte mundim”, është shprehur një vit më parë në këtë ditë, një nga figurat e demokracisë, Pjetër Arbnori.
Dita e Rinisë Shqiptare, 8 Dhjetori, është shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Kombëtare e Rinisë, në kujtim të Lëvizjes Studentore të vitit 1990.
(d.b/e.n/BalkanWeb)





Jep mendimin tuaj