
TIRANË- Në ditën ndërkombëtare të të moshuarve, kryeministri Sali Berisha ka premtuar kujdes në rritje ndaj kësaj kategorie.
Gjatë vizitës së bërë në shtëpinë e kujdesit ndaj të moshuarve në Tiranë, Berisha e ka quajtur këtë ditë, një ditë nderimi të madh për sakrificat e tyre dhe kontributin e dhënë për familjen dhe shoqërinë në tërësi.
“Ju jeni në një detyrim madhor të qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare. Kam ardhur tek ju para 5 vitesh dhe kam bërë një vizitë. Përfaqësuesit tuaj më shtruan problemin se shtëpitë e kujdesit ju mbanin atyre 80% të pensionit. Sot kjo vlerë është përgjysmuar. Pensionet sot si e dini në tërësi nuk janë më nën 100 dollarë dhe si qeveri kemi rritur fondin e pensioneve nga 50 miliardë në 106 miliardë që është sot”- tha Berisha.
Ai kujtoi edhe punën e bërë për shtimin e fondit të ilaceve, nga 5 miliardë që ishte 5 vite më parë, në 25 miliardë, sot.
“Këto janë disa hapa, por ne do bëjmë gjithcka për hapa të tjera në mënyrë që ju në këto shtëpi të kujdesit të keni gjithcka që meritoni”- tha Berisha, duke garantuar më tepër kujdes dhe rikonstruksion të shtëpisë.






Jep mendimin tuaj