Një incident i dhunshëm ka ndodhur dje pasdite në Bit Pazar të Shkupit, pasi që policia ndërmori një aksion për kapjen e shitësve të materialeve piroteknike.
Sipas njoftimeve, policia gjatë aksionit ka arrestuar një 16 vjeçar, i cili po shiste fishekzjarrë, dhe kjo më pas ka kulmuar me reagimin e menjëhershëm të shitësve të këtij tregu, të cilët bllokuan rrugën, duke shkaktuar tensione me policinë, njofton agjencia e lajmeve INA.
Në këtë incident është demoluar një veturë e policisë, ndërsa shitësit e revoltuar kanë bllokuar rrugën kryesore të bulevardit pranë Bit Pazarit.
Dhjetëra shitësit dhe qytetarët e revoltuar kërkuan lirimin e 16 vjeçarit të arrestuar Jusuf Imeri, i cili pas dy orëve ishte liruar.
Qytetarët kanë reaguar lidhur me ndërhyrjen e tillë dhe kontrollet policore, për ndalimin e punës së tyre për të siguruar siç thonë ata një kafshatë buke.
“Ne nuk kemi punë dhe andaj jemi të detyruar të dalim në rrugë për të shitur. Qeveria nuk qan hallin për fatin tonë dhe nuk siguron asgjë”, thekson një shitës i këtij tregu.
Zëdhënësi i Policisë, Ivo Kotevski ka theksuar se policia ishte ndaluar në kryerjen e kontrollit për zbulimin dhe parandalimin e shitjes së materialeve piroteknike. (INA)






Jep mendimin tuaj