Autoritetet gjermane sot kanë deportuar 38 azilkërkues, shtetas të Maqedonisë, të cilët mbërritën në Aeroportin e Shkupit, njofton agjencia e lajmeve INA.
Pjesa më e madhe e azilkërkuesve janë nga komuniteti rom dhe se atyre i është shqiptuar masë ndalese dhe vulë e zezë në pasaporta, me ç`rast ndalohet hyrja e tyre në Gjermani për disa vite.
Ata në aeroportin e Shkupit sot mbërritën në mënyrë të organizuar, ndërsa transporti ishte siguruar nga agjencia gjermane e migracionit.
Një numër i madh i shtetasve të Maqedonisë gjatë muajve të fundit kanë kërkuar statusin e azilit në Gjermani, kryesisht në landin e Bavarisë, mirëpo ata së fundi janë refuzuar përfundimisht nga autoritetet gjermane. Rreth 800 qytetarë nga Maqedonia deri tani kishin aplikuar për statusin e azilkërkuesit në Bavari, por edhe në landet e tjera gjermane. Qeveria gjermane në koordinim me Komisionin Evropian së shpejti do të deportojë të gjithë azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që përfituan nga liberalizimi i vizave. (INA)





Jep mendimin tuaj