Policia gjatë një operacioni të realizuar mbrëmë në Shkup arrestoi një grup tetë anëtarësh i dyshuar për rrëmbime, kërcënime dhe veprime kriminale.
Në mesin e të arrestuarëve është edhe pronari i restorantit të mirënjohur “Vitoria” në Shkup, por edhe dy pjestarë të policisë, në mesin e të cilëve një kryeshef policie.
Grupi kishte kryer këto vepra nga periudha e vitit 2008 deri në shkurt të vitit 2011, duke përdorur në kontinuitet kërcënime dhe dhunë ndaj shumë personave në vend me vendosjen e mjeteve shpërthyese, vënien e zjarrit, nënçmimit, grabitjes dhe formave tjera.
Ata gjatë këtyre ditëve kanë nxjerrë 16 mijë euro nga një person, që e kishin kërcënuar, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme kishin në plan për të realizuar edhe raste tjera për konfiskimin e miliona denarëve. Personat e ndaluar janë kryesisht nga Shkupi dhe njëri prej tyre nga Kumanova.
Ata të udhëhequr nga pronari i restorantit “Vitoria” realizonin marrëveshje gojore me biznese të ndryshme, të cilat më pas nuk i pranonin dhe kërkonin dëmshpërblim nga bizneset. Ky skenarë aplikohej ndaj shumë biznesmenëve të suksesshëm. Ndaj grupit të arrestuar janë shqiptuar masë paraburgimi prej 30 ditëve dhe se po vazhdojnë hetimet e hollësishme. Grupi i ndaluar një kohë të gjatë ishte i ndjekur nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila pritet që sot të jap detajet e këtij operacioni.(INA)






Jep mendimin tuaj