Lëvizja VETËVENDOSJE kundërshton ligjin e ri për Qendrën Historike të Prizrenit. Drejtues të kësaj lëvizje lajmëruan sot një protestë kundër zbatimit të planit për këtë pjesë të qytetit të Prizrenit. Protesta do të zhvillohet të dielën në orën 12:00.
Me anë të një deklarate për mediat, Vetëvendosja shprehet se; “ligji bie në kundërshtim me parimet dhe frymën republikane e me kushtetutën, ai cënon laicitetin e shtetit, cënon neutralitetin në çështje të fesë, dhe është diskriminues, pra cënon barazinë përballë ligjit. Një ligj i tillë përbën material për hapje plagësh të vjetra e të reja, duke nxitur diferencimin e dasitë në baza etnike e religjioze”.
Më tej theksohet se projekti i qeverisë bie në kundërshtim dhe me Kushtetuën e vendit.
“Ndërkohë që në Kushtetutë parashihet laicizmi e neutraliteti i shtetit në çështje fetare, në ligjin që synohet të kalohet në parlament parashihet ngritja e një Komiteti që do të administrojë Qendrën Historike të Prizrenit, përbërja e të cilit do të jetë prej tre religjioneve, duke përjashtuar kështu religjione të tjera, e ç’është më e keqja, duke e zëvendësuar konceptin e qytetarisë, si koncept bashkues, me një koncept dallues, siç është religjioni”, thuhet në deklaratë.
Një tjetër argument është dhe fakti se sipas Vetëvendosjes, ky ligj cënon rëndë trashëgiminë kulturore, që i përket popullit të Kosovës, dhe e cila duhet të rregullohet e të mirëmbahet institucionalisht, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare e kombëtare, e jo sipas dëshirës së njërit apo tjetrit komunitet.
“Ligji i ri për Qendrën Historike të Prizrenit, mbi të gjitha përbën një akt arbitrar kundër vullnetit të qytetarëve të shprehur në aktivitete të ndryshme, por edhe në një peticion që ka mbledhur mbi 10.000 firma gjatë vitit 2011. Kjo tendencë e rrezikshme e qeverisë e zhbën qytetin, e zhvesh atë prej qytetarëve, e në të njëjtën kohë nxit urrejtjen e konfliktet mes tyre. Projektligji jo vetëm që nuk ka marrë miratimin mbarëqytetar, por që gjatë kohës së hartimit të tij ka filluar të nxisë konflikte mes komuniteteve religjioze në qytet e më gjerë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Nga ana tjetër, Vetëvendosja shprehet se “ligji në fjalë pengon tërësisht zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të Qendrës së Prizrenit, dhe e merr peng këtë territor, duke ndjekur shembullin negativ të eksterritorialitetit të Kishave e Manastireve Ortodokse, që gjithashtu janë trashëgimi kulturore e Kosovës, por që janë eksterritorializuar, në emër të dasive etnike e fetare”.





Jep mendimin tuaj