
Kosova nuk është më shteti më i ri në botë. Që prej tri vjetësh, vendi ishte shteti i fundit i krijuar dhe pranuar ndërkombëtarisht, së paku tash për tash, nga shtetet dërmuese më të fuqishme botërore.
Por nga sot, primatin e shtetit më të ri në botë, nuk e ka më Kosova. Tashmë shteti i Sudanit Jugor, mund të llogaritet si vendi më i ri që së shpejti do të nis të pranohet ndërkombëtarisht.
Kjo për faktin se në Sudanin jugor mbrëmë ka përfunduar referendumi njëjavor për pavarësinë, përkatësisht për ndarjen nga pushteti qendror në Khartoum dhe krijimin e shtetit më të ri në botë.
Referendumi ka zgjatur një javë, në mënyrë që në këtë vend shumë të izoluar të Afrikës të bëhet e mundshme të gjithë të të interesuarve që të arrijnë deri te vendvotimet.
Organizatorët theksojnë se dalja në votime ka qenë e madhe, madje deri të premten ka arritur 60 %, sa ishte e domosdoshme që referendumi të kishte sukses. Por, sipas organizatorëve deri në fund mbi 90 % të votuesve kanë dalë në votime.
Rezultatet preliminare, siç njofton AP, do të shpallen më 31 janar, ndërsa ato përfundimtare priten të shpallen më 6 shkurt. Besohet se jugu i krishterë dhe totemist i Sudanit me deklarimin e shumicës së votuesve do të ndahet nga veriu mysliman.
Kryetari i Sudanit, Omar al-Basheer, ka theksuar se qeveria në Khartoum do të pranojë rezultatet e referendumit dhe jugut do t’i lejojë që paqësisht të shkëputet nëse rezultati i votimit do të jetë i tillë.
Në këtë mënyrë, nëse jugu i Sudanit shkëputet nga veriu, ky do të jetë shteti më i ri në botë dhe këtë epitet do t’ia marrë Kosovës, e cila për 3 vjet rresht gëzonte epitetin e shtetit më të ri në botë. /zhurnal/





Jep mendimin tuaj