
Zyrtarë të KMDLNJ-së kanë vizituar presidentin në detyrë, Jakup Krasniqi, ndërsa kërkuan që të rritet numri i faljeve dhe përzgjedhja e personave të dënuar që përfitojnë faljen të jetë transparente.
Zyrtarët e KMDLNj-së theksuan se vitet e mëparshme është parë që numri i atyre që kanë përfituar nga dekretet për falje nuk ka qenë i kënaqshëm, si nga aspekti kualitativ (kohëzgjatja e viteve të falura) dhe kuantitativ (numri i personave të falur).
Nga presidenti në detyrë Krasniqi u kërkua, bazuar në kompetencat e tij, që i jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për falje të rrisë numrin e faljeve dhe përzgjedhja e personave të dënuar që përfitojnë faljen të jetë transparente.
Më këtë rast Krasniqit nga KMDLNj iu dorëzua edhe me shkrim kërkesa së bashku me rekomandime lidhur me dekretet për falje.
“KMDLNJ, edhe kësaj radhe, shprehu gatishmëri për bashkëpunim me Zyrën e Presidentit të Kosovës në mbrojtjen, promovimin dhe monitorimin e të drejtave të njeriut. Z. Krasniqi e vlerësoi lart veprimtarinë e KMDLNJ-së me ç’ rast premtoi përkrahje institucionale dhe bashkëpunim në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/





Jep mendimin tuaj