
Prokurorët e EULEX-it po e mbikëqyrin procedurën juridike në rastin e serbëve të arrestuar në Gazimestan afër Obliqit, më 28 qershor, citojnë mediet e Beogradit burime të EULEX-it në Prishtinë.
Slavko Gjordan është rrahur egërsisht me rastin e arrestimit, citojnë mediet avokatin e tij Lubomir Pantovicin.
Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudulevic, ka pohuar se prokurorët e këtij misioni po mbikëqyrin procedurat juridike dhe me syçeltësi po ndjekin zhvillimin e situatës, njoftojnë mediat.
Ajo ka konfirmuar se policët e EULEX-it kanë dëshmitarë me rastin e arrestimit të serbëve në Gazimestan. Pesë serbëve të arrestuar gjykata ua ka caktuar një muaj paraburgim. Njëri prej tyre është në Prishtinë e katër të tjerë në Gjilan.
Avokati Lubomir Pantovic i ka thënë Tanjugut se klienti i tij, Sllavko Gjordan, nga Kragujevci ishte rrahur egërsisht me rastin e arrestimit në Gazimestan dhe se nga intervenimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës atij i janë shkaktuar plagë të rënda trupore.
Pantoviq thekson se nuk e di se në ç’gjendje janë katër serbët e tjerë dhe se do të insistojë që të gjithë rastin ta marrin prokurorë e gjykatës së EULEX-it meqë dyshon në objektivitetin e organeve gjyqësore vendore.
Hetimet kundër pesë serbëve po i zhvillon prokurori publik i Komunës së Prishtinës, me kërkesën e të cilit është caktuar paraburgimi prej një muaji. Sipas akuzave, të arrestuarit ngarkohen se kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe se policia ishte detyruar të mbrohej, theksojnë mediet e Beogradit. /Telegrafi/






Jep mendimin tuaj