Kryetari i opozitës Edi Rama udhëtoi sot drejt Preshevës për të promovuar librin e tij “Kurban”.
Në një koment në blogun e tij personal në Twitter, Kryetari i PS-së e cilëson befasuese mikpritjen e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të cilët kishin mbërritur masivisht në dyert e sallës, ku ai po promovonte librin e parë, “Kurban”.
Qindra vetë, sipas kryesocialistit mbetën jashtë sallës së promovimit, në pamundësi që salla t’i nxinte të gjithë.
“Mikpritje befasuese dhe bashkëbisedim i paharrueshëm me qytetarët e Preshevës. Fatkeqësisht qindra vetë s’mundën të hyjnë në sallë!”, shprehet Edi Rama në Twitter.
Duke iu referuar gjendjes ekonomike e sociale, Rama komenton me dhembje se ajo është e rëndë, pasi në këtë luginë mungojnë shumë shërbime dhe qendra shëndetësore, mes të cilave edhe materniteti dhe shkollat.
“Gjendja ekonomike e sociale e rëndë. Do t’i kërkojmë urgjent parlamentit financim për maternitetin e munguar dhe të paktën dy shkolla këtë vit”, thekson Rama, duke bërë me dije se idetë e programit të opozitës për një Rilindje Shqiptare vlejnë për mbrojtjen e shqiptarëve kudo jetojnë e posaçërisht edhe për qytetarët e kësaj lugine.
Rama nënvizoi se ai do të flasë për problemet e qytetarëve preshevarë me krerët e pushtetit vendor.
Sipas Ramës, të zgjedhurit vendorë të Luginës së Preshevës janë njerëz shumë mikpritës edhe pse kanë probleme pa fund në administrimin e komunave.
Kryetari i Partisë Socialiste në këtë vizitë të parë në Preshevë ka deklaruar se mes Serbisë dhe Shqipërisë, çështja e Luginës së Preshevës duhet zgjidhet në mënyrë të drejtë.





Jep mendimin tuaj